Saturday, May 21, 2016

Lugina e Valbonës

Lugina e Valbonës shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në Rrethin e Tropojës. Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Nacional dhe shtrihet ne nje siperfaqe prej 8.000 hektarësh.
Natyra e këtij parku është e pasur me varitete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër e reshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta e periudhë të gjatë me ngrica dhe erëra. Nga Mbaskollat dhe deri në Shoshan është e mbrojtur në mënyrë natyrore, ndaj temperatura mesatare në Dragobi është 10,7 gradë: e janarit 0,3 gradë dhe ajo e korrikut 20,4 gradë. Reshjet në Valbonë i kalojnë të 2082 milimetrat,
ndërsa lartësia maksimale e dëborës ka shkuar deri në 224 centimetra me mesatare 94 centimetra. Burimet e saj gjenden në rrëzë të shpatit lindor e qafës me të njëjtin emër, ku ushqehet me burime karstike në lartësinë 1450 m. Nën ujëvarën e pragut të Valbonës, ujërat e këtyre burimeve zhduken nën zhavorre deri në hyrje të Rragamit. Nga ky fshat deri në atë të Valbonës (Selimaj) është 7 kilometra. Sipërfaqja e ujit mungon gjatë verës për shkak të natyrës karstike. Në sektorin e poshtëm, ndanë kalimit në pellgun e Tropojës, Valbona merr degët e rëndësishme, që janë lumi i Gashit (në Shoshan) dhe atë të Bushtricës (Bujan), që e pasurojnë atë më tej. Prurja në Dragobi dhe Gri është respektivisht 12.2 m kub në sek dhe 33.3 metra kub në sekondë. Prurjet maksimale janë në maj dhe lidhen me shkrirjen e borës, kurse prurjet minimale janë 3.7 metra kub në sekondë dhe 11 metra kub në sekondë. Prurjet janë më të mëdha në vjeshtë.
Ka toka të murrme pyjore mes lartësive 500-1200 metra; pastaj vijnë tokat e kadifenjta që shtrihen në shpatin e majtë të kësaj lugine nga Mbaskollata dhe deri në Shoshan në lartësinë 400-900 metra.
Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
Për të shkuar në Valbonë duhet të udhëtohet të paktën 7 orë nga Tirana. Pjesa dërrmuese e rrugës është aksi Tiranë-Bajram Curri, ku çdo turist ka mundësinë të shijojë një udhëtim me traget nëpër liqenin e Komanit. Pamjet fantastike të shpateve malorë që bien thikë mbi ujin e liqenit të Komanit janë të paharrueshme. Fshatrat e vegjël në të dyja anët e liqenit dhe kullat e vetmuara prej guri, banorët e të cilave lidhen me njëri-tjetrin vetëm nëpërmjet varkave të vogla, janë një tjetër dekor interesant i udhëtimit. Përrenjtë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malorë. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigande të hidrocentraleve në kas-kadën e Drinit. Udhëtimi me traget zgjat për dy orë e gjysëm. Me ndërtimin e Autostradës “ Rruga e Kombit” e cila vazhdon për Kosovë me merin Autostrada “ Ibarahim Rugova” përveq të mirave tjera , në një mënyrë ka shkurtuar distancën nga Tiranë- Luginë të Valbonës, ku mund të shkohet nëpërmjet rrugës Gajkovë –Tropojë-Bajram Curr.

No comments:

Post a Comment